Spanja, drejt zgjedhjeve të parakohshme. Mbreti Felipe: Negociatat dështuan

26/04/2016 00:00

Pas 4 muajsh të konsideruara si të pafundme negociatash për të krijuar një qeveri, ka përfunduar ashtu siç ishte parashikuar. Madje edhe Mbreti Felipe VI, sovrani më i lartë i Spanjës, është detyruar ta pranojë këtë dhe ka deklaruar përmes një komunikate për shtyp se “nuk ekziston asnjë kandidat, i cili të gëzojë mbështetjen e nevojshme për të fituar besimin e Parlamentit”.

Kjo e martë ishte dita e tretë dhe e fundit e konsultimeve për të tentuar një “sipërmarrje të pamundur”, siç konsiderohej formimi i një shumice qeverisëse. Në teori, për këtë gjë ka afat deri më 2 maj, kohë në të cilën kreu i shtetit apo monarku, që gjithsesi ka fuqi të kufizuara, të ishte i detyruar me ligj të shpërbënte Parlamentin dhe të njoftonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 26 qershor.

Por ai nuk ka pritur deri atëherë dhe sot ka shpallur atë që e prisnin prej javësh thuajse të gjithë. Do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Tashmë, 4 partitë kryesore mes të cilëve është ndarë vota e 20 dhjetorit të vitit të kaluar, kanë gjetur një akord. Kryeministri në largim, Mariano Rajoy, thuajse pa e pritur komunikatën e Mbretit Felipe, i kishte dhënë “dritën jeshile” fushatës elektorale që prej së shtunës, kur nga Cordoba shpalosi të njëjtin slogan të vitit të kaluar “Spanja serioze”, duke akuzuar të tjerët për krijimin e kësaj paralize të gjatë.

Pavarësisht se i fitoi zgjedhjet e fundit, duke fituar 123 vende në Parlamentin spanjoll, Partia e tij Popullore humbi shumicën për të qeverisur vendin e vetme, ndaj dhe në janar refuzoi të rimerrte postin e kryeministrit duke i thënë popullit të tij se nuk kishte vota të mjaftueshme për të qeverisur.

Përpjekje për të formuar një koalicion qeverisës pati edhe nga Pedro Sanchez, kreu i Partisë Socialiste (PSOE), me vetëm 90 vende në Parlament, por pasi refuzoi që diçka të tillë ta bënte me Rajoyn, si një kopje e mundshme e modelit gjerman për të koalicion të madh, Sanchez arriti marrëveshje me partinë e qendrës së djathtë, “Ciudadanos”, me 40 vende, por një gjë të tillë nuk mundi ta bënte edhe me radikalët e majtë të “Podemos”-it me 69 mandate.

“Jemi të detyruar të përsërisim zgjedhjet”, tha ai pas pritjes që i bëri Mbreti Felipe VI, të cilit i deklaroi se nuk mundi të siguronte një mbështetje të mjaftueshme sa për të marrë përgjegjësinë e të qeverisurit të vendit.

Ndërkohë, sondazhet e fundit tregojnë se edhe në qershor, asnjë parti nuk do të mundet të sigurojë shumicën, ndaj do të duhet sërish formimi i një koalicioni. E megjithëse duhet pritur derisa të mësohet rezultati i zgjedhjeve të ardhshme, një gjë mund të thuhet thuajse me siguri: qeverisja bipartizane që ka karakterizuar Spanjën gjatë periudhës postdiktatoriale të Francos, tashmë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Top Channel