Kur siguria të vjen nga seksi “i dobët”

26/04/2016 00:00

Nëse nuk do i shikojë pa armë, vështirë ta besoja se Ardita, Dorjana dhe Ornela shërbejnë në Policinë Ushtarake me shumë detyrë, ndër të cilat sigurimin dhe shoqërimin e personaliteteve.

Ato janë tre nga grupi i vajzave që stërviten çdo ditë për të qenë më të mirat si truproja profesioniste. Puna që bëjnë nuk është e zakonshme për një vajzë, por mendojnë se karriera ushtarake u jep prestigj ndryshe nga bashkëmoshataret e tyre.

Asgjë nuk është e lehtë kur flet për profesionin e truprojave. Orët e gjata në terren shpesh nuk numërohen, pa llogaritur jetën personale e cila lihet disi mënjanë. Falë profesionalizmit, vajzave u është besuar pritja e përcjellja e shumë personaliteteve të larta ushtarake që kanë vizituar vendin tonë.

Në stadin që janë, cilësohen si profesionistë, por pavarësisht kësaj ende kanë dëshirë që të frekuentojë kurse e trajnimi brenda dhe jashtë vendit. Sigurimi i personaliteteve është një detyrë që kërkon angazhim profesional shpesh dhe menaxhim qetësie.

Pas anëtarësimit në NATO, në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm vizitat e delegacioneve të personaliteteve të larta si dhe kalimi tranzit i trupave të tyre në territorin tonë.

Për këtë motiv, shoqërimi dhe sigurimi i tyre është një angazhim serioz, veçanërisht në një botë ku armiku i padukshëm është terrorizmi. Vajzat shqiptare e mbajnë shumë mirë këtë rol, shpesh më mirë se djemtë.

Top Channel