Obama: Po përgatisim “mbrojtjen” nga kërcënimet e Koresë së Veriut

26/04/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të mbrojnë veten kundër Koresë së Veriut, duke pozicionuar sistemet e zhvillimit raketor dhe “mburojat” për të kundërshtuar kërcënimet e niveleve të ulëta nga vendi “i çoroditur” dhe aspak i qëndrueshëm.

Këtë ka bërë të ditur Presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë një interviste të dhënë për median “CBS” gjatë së martës. “Njëra prej gjërave që jemi duke bërë është shpenzimi i një kohe më të madhe për pozicionimin e sistemeve tona raketore, me qëllim që edhe pse po përpiqemi të zgjidhim problemin themelor të zhvillimeve bërthamore brenda Veriut komunist, njëkohësisht edhe të sigurojmë një ‘mburojë’ që të paktën të bllokojë kërcënimet relativisht të buta që po na bëjnë neve”, tha Obama.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut është cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA” të thotë se, vendi i tij “ka nevojë për një forcë tmerruese bërthamore” për të zmbrapsur armiqësinë dhe kërcënimet e Shteteve të Bashkuara. “Prania e vazhdueshme e politikës ekstremisht armiqësore nga Shtetet e Bashkuara dhe kërcënimet barthamore apo shantazhet kundër Republikës Demokratike Popullore të Koresë, nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do të shtojnë progresin drastik të forcimit të aftësive tona bërthamore”, është cituar të ketë thënë ministri i Jashtëm koreanoverior.

Sipas agjencisë shtetërore të vendit komunist, ministri i Jashtëm i është përgjigjur asaj që përshkruhet si “përshkallëzim i presionit të Uashingtonit” kundër testimit të fundit të zhvilluar prej Koresë së Veriut ditën e shtunë, të një rakete balistike të lëshuar nga një nëndetëse.

E pavarësisht atij testimi, Koreja e Veriut duket se po përgatit një tjetër lëshim testues të një rakete balistike me rreze të mesme veprimi, siç bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Jugut, “Yonhap”, po këtë të martë, pas asaj që Shtetet e Bashkuara e përshkruan si “dështim i jashtëzakonshëm dhe katastrofik” i përpjekjes së parë.

Top Channel