Irani dhe Rusia, drejt një marrëdhënieje më të ngushtë, por sërish me kufizime

26/04/2016 00:00

Kur Irani mori dërgesën e materialeve të para të një sistemi të avancuar të mbrojtjes ajrore nga Rusia në fillim të këtij muaji, Republika Islamike zhvilloi një paradë me lëshuesit e raketave antiajrore të siguruara nga Moska për të shënuar Ditën e Ushtrisë.

Teherani kishte arsye të forta për të festuar. Vendimi i Kremlinit i një viti më parë, për të shtyrë më tej shitjen e frenuar të sistemeve S-300, ishte prova e parë e qartë e një partneriteti në rritje mes Rusisë dhe Iranit, i cili ka kthyer vëmendjen nga lufta civile në Siri dhe po teston influencën amerikane në Lindjen e Mesme.

Por, vonesa e implementimit të marrëveshjes tregon gjithashtu mbi kufizimet e një marrëdhënieje të farkëtuar nga një konvergjencë interesash, sesa nga një botëkuptim i përbashkët; teksa udhëheqësit e Iranit janë të përçarë mbi ideologjinë, ndërsa Rusia shfaq shenja ngurrimi për të lejuar këtë aleancë të zhvillohet më tej.

Disa zyrtarë iranianë kërkojnë një aleancë strategjike, që do të thotë një marrëdhënie shumë më të thellë sesa tani. Por, Kremlini ofron vetëm një bashkëpunim të vazhdueshëm të përmasave të reja për shkak të konfliktit në Siri, çështje për të cilën të dy vendet mbështesin Damaskun.

“Ne, vazhdimisht po zhvillojmë marrëdhënie miqësore me Iranin, por nuk mund të flasim realisht për një paradigmë të re në marrëdhëniet tona”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë muajit të kaluar.

Rusia ra dakord të shiste sistemet S-300 tek Irani në vitin 2007, por e ngriu këtë marrëveshje në vitin 2010 për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit prej programit të tij bërthamor.

Moska i hoqi kufizimet e vendosura nga vet ajo në prill të vitit të kaluar, teksa Irani dhe fuqitë botërore i shkuan shumë afër marrëveshjes, që do të udhëhiqte vetëm pak muaj më vonë drejt heqjes së sanksioneve në këmbim të ndaljes apo kufizimit nga Teherani të programit bërthamor.

Rusia po analizon tashmë përfitimet financiare dhe diplomatike nga shitja e armëve drejt Teheranit, duke peshuar edhe riskun e irritimit të vendeve të tjera të rajonit, përfshi këtu Arabinë Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, apo edhe të parit të Iranit teksa bëhet një superfuqi.

Top Channel