Marrëveshja me BE-në, Greqia dërgon valën e tretë të emigrantëve drejt Turqisë

26/04/2016 00:00

Dy tragete kanë lënë brigjet e Greqisë me destinacion Turqinë gjatë mëngjesit të së martës, me 18 emigrantë të paligjshëm në bord, teksa një zëdhënës i qeverisë ka thënë se Athina po bën gjithçka të mundshme për të vijuar kthimin e tyre bazuar mbi marrëveshjen mes BE-së dhe Turqisë, me synimin për të ndalur fluksin masiv të refugjatëve drejt Europës.

Deri më tani janë janë kthyer mbrapsht për në Turqi mbi 340 persona që prej 4 prillit, një reagim që erdhi pas akordit me Bashkimin Europian në muajin mars, të arritur pasi mbi një milion persona që u largoheshin luftës dhe varfërisë në Lindjen e Mesme mbërritën në rrugë ilegale në kontinentin e vjetër gjatë vitit të kaluar.

Të martën, 13 persona u deportuan nga ishulli i Lesbosit drejt qytetit portual turk të Dikilit, ndërsa 5 të tjerë u kthyen mbrapsht nga Chiosi drejt Cesmes, bëri të ditur policia greke. Shumica e të kthyerve ishin afganë. Asnjë prej tyre nuk kishte aplikuar për azil në Greqi, shtojnë më tej zyrtarë qeveritarë.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe moralitetin e marrëveshjes së arritur mes BE-së dhe Turqisë. Ata janë të shqetësuar nëse Turqia është një vend “i sigurtë” për të kthyerit mbrapsht. Kjo, edhe për shkak se UNHCR-ja nuk ka ende akses në kampin e Kirklarelit, aty ku vendosen të kthyerit nga Greqia.

Megjithatë, Komisioni Europian bëri të ditur të martën se ishte siguruar formalisht nga Turqia, se do t’i ofronte akses në procedurat e azilit për të gjithë azilkërkuesit e kthyer mbrapsht nga blloku europian, një prej pikave kryesore të marrëveshjes së arritur.

Top Channel