Kryeministri kanadez dënon vrasjen e pengut

26/04/2016 00:00

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dënoi vrasjen e një shtetasi të rrëmbyer nga militantët islamikë në Filipine. John Ridsdel, 68-vjeç, u rrëmbye nga një resort turistik bashkë me 3 të tjerë nga grupi Abu Sayyaf, në shtator të 2015-s.

Në nëntor, militantët publikuan një video ku shfaqej Ridsdel dhe 3 pengjet e tjera, duke kërkuar një haraç prej 80 milionë dollarësh për lirimin e tij. Në një video të dytë, 68-vjeçari paralajmëroi se do të vritej më 25 prill nëse shuma e kërkuar nuk dorëzohej.

“The Globe” dhe “Mail” që citojnë një zyrtar të lartë pohojnë se qeveria kanadeze ndjek një politikë që ndalon dhënien e haraçit. Viktima, e ekzekutuar me prerje koke, u gjet menjëherë pas skadimit të afatit. Duke konfirmuar vdekjen e Ridsdel, kryeministri Trudeau e cilësoi atë si një akt mizor.

“Kanadaja dënon pa asnjë rezervë brutalitetin e pengmarrësve. Ky është një akt vrasjeje me gjakftohtësi. Qeveria mbetet e përkushtuar për të punuar me qeverinë e Filipineve për kapjen e personave përgjegjës për këtë vepër mizore e për ti sjellë ata para drejtësisë”, deklaroi kryeministri Trudeau.

Një ish-sipërmarrës minierash, gati i dalë në pension, Ridsdel ka punuar gjithashtu si gazetar. Grupi ekstremist Abu Sayyaf u krijua ne vitet ‘90-të nën tutelën financiare të Al Qaedës dhe lufton për një rajon të pavarur islamik në Filipine.

Një prej drejtuesve të tij, se fundmi i premtoi besnikërinë të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Top Channel