Kosovë, tryezë diskutimi mbi sfidat për të pagjeturit e luftës

26/04/2016 00:00

Komisioni qeveritar për të pagjeturit organizoi një tryezë lidhur me sfidat në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Pjesëmarrës në tryezë ishin familjarë të këtyre personave, të cilët vazhdojnë të ngrenë si shqetësim kryesor mospërfshirjen e kësaj çështjeje në bisedimet e Brukselit.

“Ka ardhur në rend dite për t’u shqyrtuar çështja e pronave të manastireve dhe ajo e pronave private të palës serbe, ndërsa nuk futet në rend dite çështja e të zhdukurve”, tha Jahir Bejta, sekretar i këshillit për personat e zhdukur.

Kryetarja e komisionit parlamentar për të pagjeturit, Lirije Kajtazi tha se janë të përkushtuar, që kjo çështje të futet në dialogun me Serbinë.

“Për sa kohë që bisedimet Kosovë-Serbi janë të hapura, normalisht që kemi këmbëngulur vazhdimisht që kjo të jetë në tryezë bisedimesh, në mënyrë që të shihet minimumi njerëzor i shtetit serb”, tha Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit parlamentar për të pagjeturit.

Familjarët kërkuan sqarim se, përse nuk kanë filluar gërmimet brenda shtetit të Kosovës, në vendet ku dyshohet për varre masive.

“Kush po na pengon, që të gërmohet në vendndodhjet në Republikën e Kosovës dhe të vërtetohet nëse është e vërtetë apo jo që aty ka njerëz të varrosur”, tha Bajram Qerkini, përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve në komisionin qeveritar.

Për disa nga familjarët, shqetësim mbetet riidentifikimi i trupave të varrosur.

“Ne kemi kërkuar nësa ka mundësi apo jo të bëhet zhvarrimi, të bëhet analiza e ADN-së dhe të dihet se kush dhe ku e ka varrin”, tha Bedrie Gërxhaliu, e mbijetuar e masakrës së Studimes.

Në Kosovë po shënohet me aktivitete të ndryshme java e të pagjeturve, ndërsa ende nuk dihet për fatin e 1.666 personave.

Top Channel