Ngrihet Fondi për Garancitë Kreditore

26/04/2016 00:00

Kosova ka themeluar Fondin për Garanci Kreditore, i cili do të ndihmojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për marrjen e kredive, duke u mbuluar 50 për qind të kolateralit dhe hipotekave në bankat tregtare.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka ndihmuar përmes programit të USAID-it për themelimin e këtij fondi, tha se përmes ndihmës ndaj bizneseve do të mundësohet që të hapen rreth 20 mijë vende të reja pune për çdo vit.

“Ky projekt do të ofrojë qasje më të lehtë në financa, për ata që duanë të hapin biznese. Bizneset e vogla dhe të mesme, siç ka thënë Presidenti Obama, janë shtytje për zhvillimin ekonomik. Ato krijojnë shumë vende të reja pune. Kjo vlen edhe për Kosovën, ndaj dhe ngjarja e sotme shpreh përkushtimin e SHBA-ve për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se koalicioni qeveritar duhet të shfrytëzojë mundësitë që jep ky fond, për të realizuar premtimet elektorale për punësimin, ndërsa kryeministri Isa Mustafa vlerësoi se fondi i garancisë do të nxisë më shumë investime të mëdha.

“Kryeparlamentari tha se, ne llogarisim që do të kemi një numër të madh të punësuarish si rezultat i këtij fondi. Do të kemi po ashtu edhe investime qindra milionëshe, të cilat do të rriten mbi bazën e efekteve shumëfishe që do të japë ky fond”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Fondi kosovar për Garanci Kreditore është një institucion i pavarur, ndërsa pritet të nisë punën me një bazë materiale fillestare prej mbi 10 milionë eurosh.

Top Channel