ISIS në Europë, celula në Britani, Itali e Gjermani

26/04/2016 00:00

Zyrtari më i lartë i Inteligjencës amerikane, James Clepper, paralajmëroi të hënën se Shteti Islamik ka celula klandestine në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Itali.

Deklarata e tij vjen në mbyllje të vizitës së Presidentit amerikan, Barak Obama, në Europë, ku i kërkoi kontinentit të vjetër të kontribuojë më shumë në luftën kundër ISIS-it. Kur u pyet nga një gazetar nëse ISIS ka celula të fshehura në Britani, Gjermani dhe Itali, të tilla si ato që sulmuan Parisin dhe Brukselin, drejtoi i Inteligjencës kombëtare u përgjigj; “Po kanë!”.

Analistët deklarojnë se aktiviteti i terroristëve të Shtetit Islamik në këto vende nuk është diçka e re, por ajo që përbën risi sipas tyre, është fakti që Clepper e ka pranuar këtë. Gjatë fjalimit të tij në Hanover, Obama e quajti ISIS-in si kërcënimin më urgjent të botës dhe megjithëse vlerësoi kontributin e Europës në fushatën anti-ISIS, ai shtoi se ajo mund të bënte më shumë.

Ndërkohë, televizioni francez “M6” transmetoi një video të re, ku shfaqet momenti kur vëllai i Salah Abdeslam, Brahim, hedh veten në erë në brendësi të kafeterisë “Comptoir Voltaire” në Paris.

Akti i kryer nga Brahim, i vetmi që humbi jetën pas shpërthimit në lokal, ishte pjesë e serisë së sulmeve terroriste që goditen kryeqytetin francez më 13 nëntor të 2015-s.

Salah Abdeslam, i cili aktualisht gjendet në Belgjikë, gjatë javëve të ardhshme mund të ekstradohet në France ku do të gjykohet për sulmet që u kushtuan jetën 130 personave.

Top Channel