Ecuria fantastike e Leicester City, që është shumë pranë titullit në Premier League, ka mbërritur deri në ambientet e Hollywood. Aktori i njohur Tom Hanks, i njohur si një tifoz i zjarrtë i Aston Villas, nuk ngurroi të flasë për fenomenin “foxes” në premierën e filmit të tij “A Hologram for the King”.

Përpara fillimit të kampionatit, fitorja e titullit për Leicester ishte kuotuar nga kompanitë e basteve me koeficientin 5001, dhe tani ky sukses historik  duket se është real.

“Në fillim të sezonit vendosa 100 paund bast për Leicester, kështu që çdo gjë do të shkojë për mrekulli”, tha Tom hanks. Por kur gazetarja që e intervistonte e pyeti nëse ai e kishte bërë vërtetë një gjë të tillë ai shtoi: “Ndoshta po, ndoshta jo. Megjithatë do të dalë dikush që ka vendosur 25 paund që do të thotë se ai do të bëhet milioner”.

Dhe në fakt ai dikush ka dalë në skenë. Bëhet fjalë për Leigh Herbert, tifoz i Leicester. Ky i fundit preferoi të vendosë për fitoren e titullit të skuadrës së tij një bast jo për 25 paund, por për vetëm 3 paund duke e publikuar edhe në profilin e tij në rrjetin social Twitter.

Tashmë ai pret që të arkëtojë nga ky bast plot 15 mijë paund.

Top Channel