Pas titullit, Juventusi nis planet e merkatos

26/04/2016 00:00

Juventus është zyrtarisht kampion i Italisë, titull të cilin Zonja e Vjetër e fiton për të pestin vit radhazi. Por skuadra torineze nuk është e kënaqur me dominimin në Serinë A.

Ajo kërkon që të imponohet edhe në Ligën e Kampioneve, por për ta arritur këtë objektiv i duhet të ketë një skuadër sa më të fortë dhe tashmë drejtuesit e klubit bardhezi janë të qetë për të nisur planet e merkatos për të formuar ekipin e sezonit 2016-2017, që do tentojë suksesin në Kontinentin e Vjetër.

Plani nis me rinovimet, ku shumë shpejt do të firmosin kontratat e tyre te reja trajneri Allegri si dhe Barzali, Buffon, Kielini, Markizio e Bonuci. Në këtë pikë pritet përgjigjja e Evra, të cilit i është ofruar një kontratë e re 2-vjeçare.

Përsa u përket lëvizjeve të tjera, vëmendja më e madhe qëndron te Pol Pogba. Bardhezinjtë do t’i propozojnë 23-vjeçarit një kontratë të re të shoqëruar me rritje page dhe do të prentendojë një përgjigje sa më të shpejtë prej tij.

Nëse ai do te vendosë të largohet Juventus nuk do të kërkojë më pak se 85 milionë Euro, shifër të cilën mendon ta shpezojë për të sjellë në skuadër futbollistë të tjerë.

Juventus dëshiron blerjen e Andre Gomesh, por në rast se dështon në bisedime,  do të tentojë Kante’ të Leicester, Mkitarian të Dortmundit, Diavara të Bolonjës, Pastore e Rabio të PSG.

Për mbrojtjen në Torino, pëlqehen Vidmer, De Shiljo e Vrsaljko. Reparti i sulmit do të përforcohet me Berardin, ndërkohë që Morata është shqetësimi kryesor. Juventus është gati të paguajë 25 milionë euro për të anuluar klauzolën e riblerjes nga ana e Realit.

Në rast dështimi, Juventus do të tentoje blerjen e Edinson Kavanit, ndërkohë që nuk përjashtohet largimi i Zazës, që pëlqehet nga klubet angleze.

Top Channel