“Zika”, rikthehet alarmi. OBSH: Mund të përhapet në të gjithë botën

25/04/2016 00:00

Agjencia e Shëndetësisë së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se me rritjen e temperaturave virusi “Zika” mund të përhapet në pjesë të tjera të botës, përfshirë këtu edhe Europën.

OBSH paralajmëron se epidemia ka gjasa të zgjerohet përtej Amerikës Latine dhe ishujve Karaibe, pasi në stinën e verës mushkonjat që transmetojnë virusin mund të mbërrijnë  në hemisferën veriore.

Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e organizatës, Marie-Paule Kieny deklaroi se dy lloj të mushkonjës  “Aedes” do të fillojnë të qarkullojnë më gjerësisht.

Ajo gjithashtu paralajmëroi se do të shtohen rreziqet e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, nëse virusi “Zika” zbret edhe në pjesën tjetër të botës.

Megjithatë disa ekspertë të Institutit “Pasteur” shprehen se për Europën, rreziku është më i ulët sesa pjesët e tjera të botës, për shkak se mushkonja “Aedes albopiktus”, e pranishme në 20 vende, është më pak “e prirur” të shpërndajë virusin sesa mushkonja tjetër që ka në familjen e saj “Aegypti A”, e cila e ka origjinën në tropik.

Por, duke e përshkruar virusin si një “emergjencë globale”, përfaqësuesja e OBSH  tha se përparësia më urgjente është për të gjetur mjete të reja, të cilat do të përshpejtonin diagnostikimin e virusit  “Zika”, veçanërisht në mesin e grave shtatzëna.

Më herët, në një koferencë, ku morën pjesë 600 ekspertë nga 43 vende të botës, shkencëtarët shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me mangësitë në njohuritë qe kane të bëjnë më këtë virus të rrezikshëm.

Top Channel