Vrasja e adoleshentit në SHBA, 6 milionë dollarë dëmshpërblim

25/04/2016 00:00

Qyteti amerikan Cleveland do t’i paguajë 6 milionë dollarë familjes së 12-vjeçarit me ngjyrë, Tamir Rice, që u qëllua dhe u vra nga policia në vitin 2014.

Ai po luante me një pistoletë lodër në një kënd lojërash kur u qëllua nga një oficer i bardhë policie. Një juri amerikan vendosi që të mos padiste oficerin. Vdekja e Tamir Rice shkaktoi protesta në Cleveland, në kohën kur vrasjet e njerëzve me ngjyrë nga policia shkaktuan një debat të madh në SHBA.

Duket se çështja e Tamirit tashmë është zgjidhur me një dëmshpërblim, pasi një urdhër i dorëzuar pranë Gjykatës së Clevelandit thotë se palët kanë rënë dakord për shumë prej 6 milionë dollarësh, e cila do të paguhet në dy pjesë këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Në deklaratën për pagesën nuk pranohet ndonjë gabim nga pala që ofron dëmshpërblimin. Tamir Rice u vra më 22 nëntor 2014 dhe në një video të publikuar më vonë, shfaqet makina e policisë që shkon pranë tij.

Oficeri i ri në detyrë, Timoti Loman, ishte ai që hapi zjarr dhe dy policët në makinë thanë arma i ishte dukur e vërtetë dhe djaloshi nuk e kishte hedhur, pavarësisht se policinë ia kishin kërkuar këtë tre herë.

Sipas familjes së Tamir, policia veproi me nxitim. Analistët thonë se rënia dakord për dëmshpërblimin tregon se as familja Rice dhe as bashkia nuk donin që t’i hynin një gjyqi të gjatë dhe vazhdimisht në vëmendjen e mediave.

Top Channel