Pellegrini përballet me të kaluarën: Dua finalen

25/04/2016 00:00

Mes Manuel Pellegrinit dhe ëndrrës për finalen e Ligës së Kampionëve është në mes vetëm Reali i Madridit, skuadër e drejtuar nga kiliani në sezonin 2009-2010.

Tekniku amerikano-latin i bëri thirrje ekipit të tij që të mos kënaqet me rrugëtimin e deritanishëm në turneun elitar të klubeve por të kërkojë më shumë edhe pse përballë ka një prej ekipeve më të fortë në planet.
 
“Ne nuk duhet që të mjaftohemi me ardhjen deri në gjysmëfinale, por kemi një synim që të shkojmë në finalen e madhe dhe atje të matim forcat për të fituar trofeun. Nuk do të mbrohemi edhe ndaj një ekipi si Real por do të provojmë të fitojmë. Ronaldo është një futbollist shumë i mirë por duhet të kemi kujdes çdo lojtar të ‘merenges’ e për këtë, duhet një punë skuadre”, tha Pelegrini.

Një mungesë me shumë peshë në shtëpinë e “citizens”, do të jetë ajo e mesfushorit influencues Yaya Toure.

“Nuk mendoj se do ta rikuperojmë dot që të luajë për shkak të problemeve muskulare. Shpresojmë që Toure të jetë gati të paktën për ndeshjen e kthimit”, tha tekniku kilian që përballet me të kaluarën dhe klubin më të titulluar në Spanjë.
 
Pellegrini u shkarkua para 6 vjetësh te “galaktikët”, për t’i lënë vendin Mourinhos, edhe pse mori vendin e dytë me Realin dhe plot 96 pikë në La Liga.

Top Channel