Kosovë, pas zgjedhjeve serbe pritet zgjidhja për kodin telefonik

25/04/2016 00:00

Përfundimi i zgjedhjeve në Serbi pritet të zhbllokojë edhe zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin me Kosovën, në bazë të të cilit do të merret prefiksi ndërkombëtar +383.

Edhe pse sipas marrëveshjes së Brukselit, Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) duhej t’ia jepte më 15 mars kodin telefonik Kosovës, pala serbe ka ndërhyrë për të kërkuar edhe pak kohë për këtë çështje.

Kryetari i Bordit të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi tha për Top Channel se janë në kontakt me ITU-në dhe shpresojnë që marrëveshja e telekomit të nisë të zbatohet së shpejti.

“Me sa kemi informacione, ITU-ja e ka trajtuar lëndën dhe pritet në çdo moment të marrë vendimin lidhur me këtë çështje. Mirëpo kemi gjithashtu informacione se, pala serbe ka ndërhyrë padrejtësisht në procesin e ITU-së dhe është duke u munduar që ta zvarrisë, apo ta bllokojë për momentin, çështjen e kodit. Ne jemi të bindur se, në bashkëpunim edhe me BE-në, e cila ka qenë palë ndërmjetësuese në dialogun e Brukselit, kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt”, tha Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të AKEP.

Edhe ministrja kosovare për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë shkurtimisht në një përgjigje elektronike se, Kosova tanimë i ka kryer të gjitha detyrimet e saj për marrëveshjen e telekomit dhe i mbetet Bashkimit Europian, që të kërkojë nga ITU-ja caktimin e kodit për Kosovën.

Kostot e përgjithshme të dëmeve të shkaktuara nga mungesa e kodit telefonik, që nga paslufta, kanë arritur në mbi 200 milionë euro, pasi Kosova përdor tri prefikse; atë të Serbisë për telefoninë fikse, atë të Monakos për njërin prej operatorëve të telefonisë së lëvizshme, si dhe atë të Sllovenisë për operatorin tjetër më të madh në treg.

Top Channel