Veseli, optimist për daljen nga kriza politike në Kosovë

25/04/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur optimist se, shumë shpejt klasa politike do të gjejë një zgjidhje për daljen nga kriza, ndërsa ka treguar se komunikimi mes partive të koalicionit dhe atyre të opozitës tashmë ka filluar.

“Ne i kemi pasur në vazhdimësi disa komunikime, të cilat janë mes nesh dhe që nuk i prekin drejtpërdrejt udhëheqësitë e partive. Megjithatë jemi duke vazhduar dhe kemi një komunikim të përbashkët. Ekziston një klimë optimale, që shumë shpejt t’i tejkalojmë dallimet. Mendimet mund t’i mbajmë ndaras rreth disa çështjeve, mirëpo veprimet do t’i kemi të përbashkëta”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Këto komente, kreu i legjislativit i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, ku u vendos që seanca e radhës të mbahet më 28 prill, ndërsa Veseli i ftoi deputetët e opozitës që të kthehen në Kuvend.

Por, partitë opozitare nuk kanë marrë ende ndonjë vendim për kthim në Kuvend, ndonëse tashmë janë ndarë nga blloku i përbashkët.

Të hënën, Lëvizjes Vetëvendosje iu largua deputeti Ilir Deda. Ai dha dorëheqjen në një konferencë nga selia e kësaj force politike, duke cituar si shkak dallimet konceptuale, ndërsa paralajmëroi një forcë të re politike.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, si dhe deputeti tjetër i kësaj force, Rexhep Selimi janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore, për një incident të 4 viteve më parë me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, të ndodhur në oborrin e Kuvendit, e për të cilin kreu i VV-së ishte shoqëruar disa herë me forcë në gjykatë.

Top Channel