Copëtohet “Qemal Stafa”, klubet e varfëra do të marrin pjesë

25/04/2016 00:00

Periudha e modernizimit të infrastrukturës sportive në vendin tonë është vetëm fasada e bukur e një realiteti deri diku të mjeruar. Projekti modern i “Arenës Kombëtare”, ka ndezur në një krah debatet arkitekturore, urbanistike dhe politike, nëse duhet apo jo kulla, nëse duhet ruajtur apo jo fasada e kështu me radhë, por jo të gjithë kanë luksin të mendojnë kështu.

Skuadrat e kategorive inferiore të futbollit shqiptar dhe jo vetëm, kanë nisur kërkesat pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, për pjesët ndryshme të përdorura të “Qemal Stafës”.

Mbi 10 skuadra kanë depozituar kërkesën e tyre për të marrë stolat. Aktualisht impianti i stadiumit kombëtarë ka rreth 16.000 stola, por sipas drejtorisë, pas inventarit që pritet të bëhet do të jenë shumë më pak sepse një pjesë jo e vogël janë të dëmtuar.

Por për stadiumet e qyteteve të vogla si Shijaku, Patosi, Erseka, Cërriku, Librazhdi dhe deri tek fshati i shqiptarëve të Maqedonisë, Ladorishtit, ato janë mëse të vlefshme. Veç stolave nga “Qemal Stafa” ka shumë më shumë vlerë impianti i ndriçimit, i kërkuar nga skuadra e Kuksit.

Aktualisht ky impiant, edhe pse jo në kapacitetin maksimal të 1400 lux dhe i një prodhimi mbi 20-vjeçar, kushton rreth 100 mijë euro vetëm për t’u çmontuar dhe transportuar në qytetin verilindor, por që gjithsesi është një shifër shumë më ekonomike sesa blerja e një impianti të ri që kalon shifrën e 500 mijë eurove.

Kështu me radhë ky stadium do të copëtohet e më pas shpërndahet nga stolat, fusha, sistemi i reklamave LED, edhe pse difektoz pasi u hoq si papërdorshëm nga “Elbasan Arena”, deri tek tuneli i lojtarëve, portat, apo qendra e zërit.

…një shpërbërje efikase dhe ekonomike për infrastrukturën sportive të qyteteve të vogla të cilat festojnë edhe ato, në mënyrën e tyre, projektin e ri të “Arenës Kombëtare”.

Top Channel