“Playoff”-et në NBA, kalojnë San Antonio e Cleveland

25/04/2016 11:00

San Antonio Spurs dhe Cleveland Cavaliers janë skuadrat e para që presin biletën për në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit dhe të Lindjes respektivisht.

Skuadra teksane fitoi edhe ndeshjen e katërt ndaj Memphis Grizzlies 116-95, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve 4-0. Leonard me 21 pikë dhe Toni Parker me 16 dhanë kontributin më të madh në këtë sukses të San Antonios në “FedEx Forum”, për të siguruar edhe kalimin në raundin tjetër.

Cleveland Cavaliers nga ana e tij mposhti në “Auburn Hills” skuadrën e Detroit Pistons 100-98. Ishte një ndeshje fati i së cilës u vendos pikërisht në sekondat e fundit dhe ai që e kishte në dorë atë ishte basketbollisti i Detroit, Raggie Jackson, i cili gaboi nga distanca e 3 pikëve, duke dekretuar eliminimin e skuadrës së tij. Për Cleveland, Kyrie Irving e LeBron James ishin ata që u dalluan në këtë ndeshje me 31 dhe 22 pikë të shënuara respektivisht.
 
Golden State Warriors thellon diferencën në ndeshjet me Houston Rockets në 3-1. Skuadra kampione në fuqi mundi teksanët në “Toyota Center” 121-94, në një ndeshje ku diferencat u bënë në periodën e katërt. Thompson me 23 pikë, Igoudala me 22 dhe Green me 18 ishin ata që udhëhoqën kampionët në fuqi të NBA drejt fitores. Por Warriors nuk iu gëzuan plotësisht këtij suksesi. Ylli i kësaj skuadre, Stephen Curry, pësoi sërish një dëmtim, këtë radhë në gju. Ekzaminimet e para flasin për një ndrydhje, por më shumë për këtë dëmtim do të mësohet pasi Curry të kryejë rezonancën manjetike.

Në ndeshjen tjetër të “playoff”-it, Boston Celtics mundi Atlanta Hawks në “TD Garden” 104-95, për të barazuar serinë e ndeshjeve në 2-2 e duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në gjysmëfinalen e Konferencës së Lindjes.

Top Channel