MotoGP,  Rossi fiton në pistën e “armikut”

24/04/2016 00:00

Superparaqitje e Valentino Rossit në pistën armiqësore të Herez dela Frontera në garën për Çmimin e Madh të Spanjës në MotoGP.

“Doktori” italian që këtë sezon ka çaluar me paraqitjet e tij, u duk se kishte një marsh më shumë se rivalët iberikë pasi mori arratinë nga xhiroja e startit duke regjistruar dhe suksesin e parë sezonal, pikërisht aty ku nuk pritej të dominonte.

Një kampion i përjetshëm i shpejtësisë mbi dy goma që në moshën 37-vjeçare fluturon me entuziazmin e nëj adoleshenti dhe eksperiencën e një veterani.

“Doktori” i MotoGP arriti të mund spanjollët duke bërë gjithmonë e më shumë një hap drejt historisë.  Piloti pezarez tani është vetëm 10 fitore larg rekordit që mbahet nga Xhakomo Agostini.

Nisja bombë në pistën e Herez mbajti pas krahëve Lorencon që tentoi në një rast manovrën për të mposhtur “doktorin” por pa sukses. Në gjysmën e garës ashtu siç pritej, faktori i gomave dha ndikim te pilotët në asfalt, pasi spanjolli Markez me Hondën e tij u dorëzua ndërsa Lorenco nisi të rikuperonte disi.

Kaluan 5 xhiro që dhanë idenë se gara do të rihapej pasi piloti nga Majorka arriti deri në 2 sekonda hendek me Valentinon, por në fund iu dorëzua ritmit fenomenal të italianit.

I treti në podium, iberiku tjetër Mark Markez me 7 sekonda diferencë nga centauri i Apenineve.

Top Channel