Presheva shpreson për një qasje të re të Beogradit ndaj shqiptarëve

24/04/2016 00:00

Shqiptarët e Luginës së Preshevës shpresojnë që këto zgjedhje të sjellin ndryshime për ta dhe që Beogradi të ketë një qasje të re. Por sërish një pjesë e tyre kanë dyshime.

Në tri qytetet ku jetojnë shqiptarët, në Jug të Serbisë, do të votohet për zgjedhjet lokale dhe për Kuvendin e Beogradit. Por për zgjedhjet parlamentare, vetëm Partia për Veprim Demokratik ka kandiduar me një listë kandidatësh për deputetë.

Driton Salihu, kryeredaktor i agjencisë “Presheva.com” thotë se, Serbia do të jetë më e monitoruara në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen me probleme të shumta. Në radhë të parë me mungesën e teksteve shkollore, simboleve kombëtare, por edhe me papunësi të madhe dhe shpërngulje masive. Unë mendoj se zgjedhjet duhet të shfrytëzohen nga faktori shqiptar, që t’i zgjidhin me trysni të vazhdueshme problemet që kanë kapluar shqiptarët e kësaj ane prej dekadash të tëra”, tha Driton Salihu, kryeredaktor.

Shqiptarët kanë pasur dy deputetë në mandatin e kaluar. Tani gjasat janë më të vogla, pasi për një deputet u duhen mbi 14 mijë vota. Partitë e tjera bojkotojnë zgjedhjet parlamentare.

Top Channel