Kampionja e Europës në xhudo: E emocionuar për flamurin dhe himnin kosovar në Rusi

24/04/2016 00:00

Xhudistja Majlinda Kelmendi, fituese e kampionatit europian, si dhe Nora Gjakova, e cila përfundoi e treta në garë, janë kthyer nga Rusia, atje ku bënë që flamuri dhe himni i Kosovës të nderohej nga ushtarët rusë. Kjo bëri që ekipi i xhudos të nderohet me pritje zyrtare nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe kabineti i tij.

Paraqitja me simbolet e Kosovës, për kampionen Majlinda Kelmendi është fitorja më e madhe, pasi – siç tha ajo, – e njeh më së miri ndjenjën e të qenurit e diskriminuar.

“Jam ndierë jashtëzakonisht e lumtur, e emocionuar, ndoshta jo aq shumë për medaljen, sepse unë kam qenë kampione e Europës dhe e botës, mirëpo për vet faktin, që aty ka qenë i pranishëm flamuri i Kosovës dhe është intonuar himni i Kosovës”, tha Majlinda Kelmendi, kampione europiane e xhudos.

Trajneri i dy xhudisteve, Driton Kuka tha se kishte qenë vet Presidenti rus, Vladimir Putin, ai që kërkoi të lejoheshin simbolet e Kosovës, duke e cilësuar këtë si fitore diplomatike dhe sportive.

“Ishte vet Vladimir Putin, ai që ka thënë se kishte dhënë ‘OK’-in për t’u lejuar flamuri i Kosovës, pavarësisht se Ministria e Punëve të Jashtme e ka ndaluar. Madje, ai është zotuar duke thënë se, nëse nuk lejohet, do të shkonte vet ta vendoste flamurin në palestër”, tha Driton Kukaj, trajner i Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës.

Kryeministri Mustafa i vlerësoi xhudistet, si dy sportistet më të mëdha të vendit.

“Fitoret e tyre flasin për vlera të veçanta të të rinjëve tanë dhe sportistëve tanë, madje edhe për nevojën që Europa të ketë të tilla vlera në gjirin e saj, që t’i pranojë qytetarët e Kosovës sa më shpejt, e që të lëvizin lirshëm”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Në pritjen ndaj ekipit kosovar të xhudos dolën edhe shumë qytetarë, të ardhur nga qytete të ndryshme, dhe zyrtarë të tjerë të vendit.

Top Channel