FA Cup, Martial çon “djajtë” në finale

23/04/2016 00:00

Goli i Anthony Martial në minutat shtesë i siguroi Manchester United fitoren në gjysmëfinalen e FA Cup përballë Everton 2-1, duke bërë që “djajtë” të kalojnë në finale dhe të shpresojnë për një trofe këtë sezon.

Marouane Fellaini i dha epërsinë United pas 34 minutash lojë, para se mbrojtësi i “djajve” Chris Smalling të çonte topin në rrjetën e gabuar dhe të barazonte shifrat në 1-1.

Romelu Lukaku dështoi të shënonte nga pika e bardhë, por Everton vazhdoi dominimin duke shtuar edhe më shumë presionin në drejtim të portës së De Geas në kërkim të fitores.

Mirëpo skuadra blu u trondit nga goli i Martial në minutën e 93, i cili doli i vetëm përballë portës së Everton falë kombinimeve të bukura me shokët e skuadrës.

United do të rikthehet në “Wembley” për finalen e 21 majit, ndërsa të dielën mëson emrin e kundërshtarit që do të jetë njëra nga Crystal Palace ose Watford, skuadra këto që do të luajnë gjysmëfinalen e dytë.

Top Channel