Puna me kombëtaren, De Biasi e tregon tek “Tuttosport”

23/04/2016 00:00

Trajneri De Biasi vazhdon të tërheqë vëmendjen në median e vendit të tij, Itali dhe kjo falë punës së tij fantastike me kombëtaren shqiptare duke e udhëhequr drejt kualifikimit historik në fazën finale të një gjarje të rëndësishme siç është Europiani i Francës.

Në një intervistë për të përditshmen “Tuttosport”, De Biasi i cili rrëfen për punën e bërë sidomos në aspektin e motivimit me futbollistët e tij.

“Kam punuar shumë me anën psikologjike të lojtarëve. Arrita t’i bindja pasi besoja se nëpërmjet organizimit dhe lojës si skuadër mund ta realizonim këtë objektiv për të cilin shpresohej shumë në prag të eliminatoreve”, tha tekniku italian.

De Biasi shpjegoi gjithashtu edhe mënyrën e komunikimit me lojtarët ku gjuha është një element shumë i rëndësishëm.
Trajneri 59-vjeçar theksoi se një pjesë e mirë e futbollistëve e kuptojnë menjëherë, ndërsa për të tjerët është Lorik Cana që e përkthen duke u vënë në dukje konceptet teknike.

Por De Biasi foli edhe për ndryshimet që ekzistojnë mes drejtimit të një kombëtareje dhe një klubi.

“Kur je trajner i një skuadreje përfaqësuese ke më pak kohë për punuar gjatë javës, por mentaliteti që mbart në të është i njëjti si në nivel klubesh. Ne shfrytëzojmë në maksimum kohën që kemi në dispozicion. Përdor gjithnjë videot për të vënë në dukje gabimet që bëhen në fushën e lojës”, tregoi De Biasi.

Top Channel