Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë i kanë kërkuar Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, që të tërheqë vendimin e tij për faljen e 56 politikanëve nën hetime.

Drejtoresha e Zyrës për shtyp pranë Departamentit amerikan, Elizabeth Trudeau, tha për Zërin e Amerikës se SHBA-të dhe BE-ja kanë shprehur qëndrimin e tyre për rëndësinë e zgjedhjeve të besueshme në Maqedoni.

“Koha është e shkurtër dhe ka mbetur shumë për t’u bërë. Ne fuqishëm kërkojmë nga Presidentit Ivanov, që të anulojë vendimin e tij dhe t’i lejojë Prokurorisë Speciale dhe Gjykatave që të kryejnë punën e tyre”, citohet të ketë thonë Trudaeu.

Ndërkohë, pas anulimit të takimit të Vjenës, mediat botërore shkruajnë se Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj disa politikanëve maqedonas.

Siç raportojnë mediat e huaja, ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e fundit, kanë diskutuar për përfshirjen e disa funksionarëve të lartë maqedonas në listën e zezë të zonës Shengen. Megjithatë, një vendim i tillë ende nuk është miratuar.

Top Channel