Zgjedhjet në Serbi, LSI: Shqiptarët e Preshevës të dalin në votime

23/04/2016 12:50

Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre vendore që mbahen të dielën në Serbi, Lëvizja Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës për një pjesëmarrje sa më masive.

“Nesër në Serbi zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin dhe organet e qeverisjes vendore. Prandaj, në kuadër të kësaj, në emër të LSI i drejtohem të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote në Luginën e Preshevës, qytetarëve me ndikim dhe intelektualëve, që me pjesëmarrjen në zgjedhjet e nesërme të demonstrojnë forcën e unitetit të tyre”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm, Luan Rama.

Rama ka ftuar shqiptarët e Serbisë që, “ta kthejnë ditën e nesërme në ditë të manifestimit qytetar e europian për të dëshmuar që forca e tyre e europianizimit dominon mbi interesat partiake”.

“Ta përdorin votën e tyre në të mirë të Preshevës, që të fitojnë shqiptarët e Preshevës. Votoni që të drejtat e shqiptarëve të mbrohen në Kuvendin e Serbisë”, ka shtuar Rama.

Top Channel