NBA, San Antonio e Cleveland marrin fitoret e radhës në “playoff”

23/04/2016 00:00

San Antonio Spurs i afrohet fazës gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit në NBA. Skuadra teksane fitoi sërish ndasj Memphis Grizzlies 96-87 dhe tashmë kryeson 3-0.

Në “FedEx Forum” San Antonio konfirmoi edhe një herë superioritetin e tij ndaj Grizzlies dhe nuk hasi në vështirësi të mëdha për ta fituar këtë ndeshje. Ai që mori përsipër të udhëheqë Spurs-at drejt suksesit ishte Leonard me 32 pikë. Për Memphis nuk mjaftuan 20 pikët dhe 11 topat në tabelë të Randolph për të evituar këtë disfatë.

Në Lindje është Cleveland Cavaliers skuadra që i afrohet kualifikimit për në raundin tjetër të fazës së “playoff”-it të kampionatit amerikan të basketbollit. Skuadra nga Ohajo mundi Detroit Pistons në “Auburn Hills” me rezultatin 101-91 dhe e kryeson serinë e ndeshjeve 3-0. Detroit u përpoq që të rihapte llogaritë e kësaj sfide, por  e pati të pamundur përballë treshes së Cavaliers: James, Love dhe Irving, të cilët së bashku shënuan 66 nga 101 pikët totale të skuadrës.

Në ndeshjen tjetër, Boston Celtics shkurtoi diferencën e përballjeve me Atlanta Hawks në 2-1, duke fituar në “TD Garden” 111-103. Për Celtics protagonisti absolut u bë Thomas, i cili fillimisht u përfshi në një zënkë me gjermanin Schroder, për të mbyllur më pas ndeshjen me 42 pikë, duke vendosur një rekord personal.

Top Channel