Olimpiada e Rios, shembet pista çiklistike duke shkaktuar dy viktima

22/04/2016 00:00

Kur duhen ende 4 muaj nga fillimi zyrtar i Lojërave Olimpike, turneu i sporteve elitare në Brazil ka regjistruar një tragjedi. Dy persona humbën jetën nga shembja e një pjese të cirkuitit të biçikletave, që sapo ishte ndërtuar në një zonë bregdetare të Rio De Janeiros, çfarë konfirmon punën e dobët në shumë projekte dhe korrupsionin me fondet publike në vendin e Amerikës Latine.

Dy persona ranë në det pas incidentit fatal, ndërsa policia po heton rastin në fjalë, edhe pse – me të gjitha gjasat – nga kjo do të anashkalohet qeveria braziliane. Më shumë se 50 metra u shembën buzë brigjeve të Oqeanit Atlantik, që ishte parashikuar për të lehtësuar punën e sportistëve dhe turistëve gjatë eventit, që do të nisë më 5 gusht dhe do të përfundojë më 21 gusht.

Rio de Janeiro do të bëhet qyteti i parë në Amerikën e Jugut që organizon një Olimpiadë, por me recesionin më të madh në një shekull, krizën politike dhe nivelin e krimeve, sporti është gjëja që po mendojnë më pak qytetarët vendas.

Organizatorët thonë se, më shumë se 90% e projekteve kanë përfunduar, por incidenti i fundit ngre pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve. Një ngjarje e ngjashme, me dy viktima, u verifikua në Belo Horizonte, disa javë para Botërorit të vitit 2014.

Top Channel