Transferimet e lojtarëve në “Premier”, “çmenduri” 47 mln paundëshe me agjentët

22/04/2016 00:00

Tarifat ndërmjetësuese për transferimet e futbollistëve përbëjnë shpesh një pengesë të pakalueshme në negociatat zyrtare dhe ato që zhvillohen prapa kuintave, e ndonjëherë edhe skuadrat më të njohura i dorëzohen influencës gjithmonë e më të shtuar të palëve të treta.

Statistikat e fundit në “Premier League”-n angleze tregojnë se, ekipet elitare kanë shpenzuar 47 milionë paund për pagesat e agjentëve dhe prokuratorëve në harkun e vetëm 4 muajve.

Manchester United kryeson këtë listë aspak të dëshiruar, me mbi 10 milionë paund në gjysmën e parë të sezonit, çfarë përfaqëson pjesën më të madhe të “tortës”, që kanë përfituar të tretët për ndërmjetësimin. Mes negociatave më të sikletshme ishin shitja e Angel Di Maria te Paris St Germain, blerja e Memphis Depay dhe firma e portierit De Gea në kontratën e re.

Ka një hendek të dukshëm me vendin e dytë në rangun e shpenzimeve për agjentët, pozicion që mbahet nga Liverpool. Edhe skuadra tjetër “e kuqe” ka pronësi amerikane dhe ka derdhur mbi 6.6 milionë paund te prokuratorët dhe kompanitë menaxhuese të lojtarëve.

Manchester City është i treti, që ka vuajtur nga taksimet ekstra për blerje apo largime, ndërsa jo më pak ka shpenzuar edhe Arsenali në 4 muaj. Shifrat e reja, të ofruara zyrtarisht nga Federata angleze, janë në kontrast të plotë me rregullin e “Fair Play Financiar”, aq shumë të kërkuar nga UEFA dhe FIFA.

Top Channel