Serbët ndihen të tradhtuar: Vëllezërit rusë lejuan Kelmendin me simbole të Kosovës

22/04/2016 00:00

Suksesi fantastik i Majlinda Kelmendit në kampionatin europian të xhudos ka entuziazmuar të gjithë shqiptarët në mbarë botën, por ka pasur – ashtu siç pritej, – një efekt krejt të kundërt për Serbinë.

Vendi që po tenton në grahmat e fundit, të izolojë çdo sport dhe disiplinë kosovare në arenën ndërkombëtare, është ndierë i tradhtuar nga aleati më besnik i tij, Rusia.

Kelmendi fitoi medaljen e artë në Europianin që po zhvillohet në qytetin rus të Kazanit, por më shumë sesa suksesi i Majlindës, serbëve u ka djegur lejimi i Rusisë, që Kosova të përfaqësohet në Europian me simbolet shtetërore, teksa edhe garda e ushtrisë ruse nderoi himnin dhe flamurin e Kosovës.

“Vëllezërit rusë na e ngulën thikën pas shpine, ushtarët përshëndetën flamurin e Kosovës së Thaçit”, është titulli i “Kurir”.

“Rusët e ndalën në fillim flamurin, por u zmbrapsën më pas. Xhudistja shqiptare, në podium me simbolet e Kosovës”, shkruhet në portalin sportiv “Blic”. Nuk ka munguar jehona edhe në mediet e Republikës Serbe të Bosnjes, një krahinë autonome në Ballkan, që evokon ende ndjenjat e ish-Jugosllavisë.

“Serbia, në shok total. Edhe ushtarët rusë nderojnë simbolet e Kosovës”, thuhet në portale të ndryshme, ndërsa tifozët kërkojnë një notë proteste te Moska zyrtare.

Top Channel