Mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar në mënyrë të qetë para Kuvendit në Shkup për të shprehur pakënaqësinë për pozitën e tyre të vështirë në Maqedoni.

Organizatorët thanë se pakënaqësia e shqiptarëve në këtë vend ka arritur kulmin dhe se këto protesta janë fillimi i një rruge të gjatë për të parandaluar padrejtësitë ndaj tyre dhe për të për të kthyer demokracinë.

“Shqiptarët janë sot këtu për barazi të plotë, për shtet binacional, për të zyrtarizuar gjuhën shqipe në gjithë shtetin dhe për ta marrë pjesën e tyre nga buxheti”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i LR-PDSH.

Protestuesit, me flamuj kuqezi në duar, shprehën revoltën e tyre kundër pushtetit, për të cilin thonë se është burimi i të këqijave për shqiptarët e Maqedonisë. “Ose të barabartë në këtë shtetet me maqedonasit, ose ky vend nuk mund të funksionojë ndryshe”, deklaroi ish-deputeti Hysni Shaqiri.

Përmes parullave me mesazhe të forta, qytetarët kërkuan ndihmë edhe nga shteti. Protesta u organizua nga dy parti joparlamentare, LR-PDSH dhe RDK, ndërsa u mbështet edhe nga sektori civil dhe Organizata e Veteranëve të UCK-së në Maqedoni.

Top Channel