Serbi, sondazhet favorizojnë Vuçiç. Pritet rikonfirmimi i qeverisë

22/04/2016 00:00

Sondazhet e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme në serbi vendosin në avantazh partinë në pushtet, “SNS”. I cituar nga mediat gjermane, George Vukoviç, i Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) në Beograd, thotë se kjo parti mund të marrë rreth gjysmën e votave.

Pas saj renditet Partia Socialiste e Serbisë (SPS), në koalicion me Serbinë Unike (JS), e cila nuk ka nevojë të shqetësohet për hyrjen në Parlament. Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera janë në zonën e rrezikut: Partia Radikale Serbe, Lëvizja Dosta, apo Partia Demokratike.

Situata ka ndryshuar disa herë deri më tani dhe parashikimet mbase nuk përmbushen të gjitha, por do të ishte çudi e madhe, nëse “SNS”-ja e humbet kryesimin – thotë Vukoviç.

Partia e kryeministrit Aleksandar Vuçiç ka qenë kohët e fundit në shënjestër të kritikave për shkak të aferave të shumta, teksa është sulmuar për qëndrimin e saj ndaj medieve, mungesën e transparencës, disa skandale me pronat dhe financat, marrëveshjen e Brukselit me Kosovën dhe afrimin me NATO-n.

Megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka influencuar shumë pozitën te zgjedhësit. Ajo çfarë vihet re në anketime është se, qytetarët flasin hapur për kushtet e këqija të jetës, por deri më sot, – sqaron Vukoviç, – nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të votuesve, që mendojnë se Serbia është në rrugën e duhur.

Njerëzit kanë pritshmëri të larta dhe mendojnë se Vuçiç është pikërisht ai që mund t’ua realizojë.

Top Channel