Kosovë, Veseli zyrtarizon kandidaturën për kreun e PDK-së

22/04/2016 00:00

Kryetari në detyrë i PDK-së, Kadri Veseli ka shpallur këtë të premte edhe zyrtarisht kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë më të madhe në vend, e cila deri tani është udhëhequr nga Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Veseli tha se, vendimin për të kandiduar për kryetar të PDK-së e ka marrë pas shumë konsultave me miq dhe familjarë, si dhe mesazheve që ka marrë nga shumë mbështetës partiakë.

Ai ka shprehur besimin se, në këtë detyrë të re mund ta përmbushë më së miri dhuntinë e tij politike dhe mund t’i shërbejë më së miri Republikës së Kosovës.

Pas shpalljes zyrtare të kandidaturës në selinë e PDK-së, Veseli lëvdoi ish-kreun e partisë Thaçi, i cili – siç tha ai, – e ka konsoliduar dhe e ka dërguar partinë në fitore të njëpasnjëshme.

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli është anëtarësuar në PDK para zgjedhjeve parlamentare të 2013-s, ndërsa përvoja e deritanishme si zëvendëskryetar – sipas tij, – e ka bërë të ketë mjaftueshëm përvojë, aftësi dhe energji për të qenë kryetar i PDK-së, nëse e merr besimin e anëtarëve të Konventës, e cila do të mbahet më 7 maj në Prishtinë.

Top Channel