Delegacioni franko-gjerman: Kosova, drejt liberalizimit të vizave

22/04/2016 00:00

Gjatë vizitës në Prishtinë, ministrat e Shtetit për Çështjet Europiane nga Franca dhe Gjermania kanë konfirmuar se, Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj dhe presin që në javët e ardhshme Komisioni Europian të shpallë rekomandimin.

Por, ministri gjerman Michael Roth tha se, pas rekomandimit, Gjermania dhe Franca po analizojnë kushtet që duhet t’i bëhen të qarta Prishtinës, në mënyrë që qytetarët të mos abuzojnë me liberalizimin e vizave.

“Jemi në proces diskutimi me partnerët tanë të BE-së, për atë se çfarë mund të bëjmë që të mos ketë ndonjë abuzim të mundshëm me liberalizimin e vizave. Ky është problemi, por jemi shumë optimistë që do të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën. Tani, hapi tjetër është rekomandimi i qartë i Komisionit Europian”, tha Michael Roth, ministri gjerman për Çështjet Europiane.

Ndërkohë, ministri francez tha se çështja e valës së madhe të emigracionit dhe sulmet terroriste kanë nxitur ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, që të jenë shumë të ndjeshëm, por në rastin e Kosovës, ai tha se vlerësimet janë shumë pozitive.

“Kemi pasur mbresa të mira nga menaxhimin i emigracionit muajt e fundit, gjë që është një element që duhet marrë në konsideratë në javët e ardhshme, kur do të kemi vendimin e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave”, tha Harlem Desir, ministri francez për Çështjet Europiane.

Në fund të vizitës në Prishtinë, përfaqësuesit franko-gjermanë për Çështjet Europiane i bënë thirrje klasës politike kosovare, që mosmarrëveshjet e tyre prej disa muajve t’i zgjidhin përmes dialogut, duke kërkuar shmangien e dhunës ndaj institucioneve.

Top Channel