Dorëhiqet trajneri i Kombëtares së femrave, Altin Rraklli

22/04/2016 00:00

Altin Rraklli nuk do të jetë më trajner i kombëtares së femrave të Shqipërisë. Ai ka dhënë dorëheqjen ditën e premte dhe këtë e ka bërë publike në një prononcim zyrtar, për zyrën e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Largohem për arsye familjare dhe për t’ju përkushtuar krejtësisht punëve dhe bizneseve të mia private. Gjatë këtij rrugëtimi 5-6 vjeçar, për të ndërtuar futbollin e femrave në Shqipëri, kam provuar çaste dhe emocione të cilat nuk kanë njohur kufij. Kam jetuar çdo ditë me një sfidë të re, e cila për herë të parë zhvillohej në këtë vend. Kam patur mbështetjen e të gjitha strukturave të FSHF, të stafit dhe medias, të cilët gjej rastin që ti falenderoj”, deklaron Rraklli.

Ish-sulmuesi i Shqipërisë mori drejtimin e kombëtares së femrave në vitin 2010, duke dhënë kontributin e tij në ngritjen e futbollit të femrave në vendin e tonë.

Edhe Federata Shqiptare e Futbollit reagoi në lidhje me dorëheqjen, duke e falenderuar Rrakllin për kontributin e dhënë në këto vite.

“FSHF, vlerëson kontributin e deritanishëm të dhënë për futbollin shqiptar, nga një futbollist i njohur si Altin Rraklli. Ajo, ka mbështetur dhe vlerëson punën e deritanishme të tij, për ndërtimin e skuadrës kombëtare A të femrave dhe në përgjithësi për zhvillimin e futbollit për femrave. Duke e konsideruar si vlerë, gjithçka që Altin Rraklli ka dhënë për futbollin shqiptar, FSHF i uron atij gjithçka të mirë në karrierën dhe jetën  e tij private”, përfundon qëndrimin ne sajtin zyrtar të FSHF.

Top Channel