De Biasi: Jemi si Leicesteri. Italia? Kurrë mos thuaj kurrë

22/04/2016 00:00

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni de Biasi, këmbëngul se për momentin nuk po mendon për ofertat e mundshme, por vetëm për pjesëmarrjen me Shqipërinë në Europian.

Në një intervistë të dhënë për “Il Messagero”, 59-vjeçari ka treguar se cila ishte formula e suksesit të tij me kuqezinjtë, falë së cilës është kthyer në një emër të njohur në arenën ndërkombëtare.

“Në Itali nuk e kuptuan se çfarë trajneri kishin në duar? Sigurisht që e kuptuan, unë jam krenar për atë që kam kaluar në Itali. Ndoshta do të përjetoj eksperienca të tjera italiane. Por të kthehemi te Shqipëria: do të shkojmë në Francë pasi jemi një skuadër. Jemi individualitete, por gjithmonë brenda një skuadre. Kjo është mënyra se si shumëfishohen forcat. Asnjë individualizëm. Jemi si Leicesteri i mikut tim Ranieri. Jo, në fakt ne dolëm në skenë përpara”, ishte batuta e De Biasit.

Suksesi me Shqipërinë e ka kthyer atë në një kandidat potencial për të marrë drejtimin e kombëtares italiane pas Euro 2016. “Çdo trajner italian ndien kënaqësi kur sheh emrin e tij në orbitën e kombëtares. Jam italian, drejtoj Shqipërinë, do të shkojmë në Europian dhe duam të luajmë shanset tona aty. Pas Francës? Kurrë mos thuaj kurrë!”, vijoi De Biasi, i cili më pas u pyet nëse kishte marrë oferta nga klubet italiane.

“Asnjë. Në fakt jo, më ka mbërritur një dhe iu përgjigja: Faleminderit por jam trajneri i Shqipërisë, po shkojmë të luajmë në Europian”, ishte përgjigjja e trajnerit që përsëri nuk zbuloi se cili ishte klubi që interesohej për të. De Biasi ka treguar për gazetën italiane disa detaje të jetës së dy futbollistëve shqiptarë që luajnë në Serinë A, Elseid Hysajt dhe Etrit Berishës.

“Babai i Hysajt ka bërë shtatë rrugë, e përsëris shtatë, me gomone për të sjellë familjen e tij në Itali. Ishte murator, ndërsa tani sheh të birin të luajë te Napoli dhe në Europian. Herën e parë që një bashkëpunëtor i imi takoi Berishën, ai po peshkonte. Jetonte dhe luante në Kallmar, në fakt jetonte në një qendër peshkatarësh pranë qytezës suedeze. Para se të stërvitej me ne, nuk kishte pasur asnjëherë një përgatitës portierësh. Më mjaftoi një ndeshje, një miqësore kundër Iranit, për të kuptuar se cili ishte potenciali i tij i jashtëzakonshëm”, tregoi De Biasi.

Top Channel