Kosovë, çelet Panairi ndërkombëtar i Turizmit

21/04/2016 00:00

Në prag të pushimeve verore, në Prishtinë ka nisur prezantimi i destinacioneve turistike nga agjenci nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e të tjerë vende, në kuadër të Panairit ndërkombëtar të Turizmit, Hotelerisë dhe Gastronomisë.

Për dy ditë me radhë, në panair do të prezantohet edhe kuzhina vendase, mesdhetare dhe ajo arabe, nga kuzhinerë profesionistë. Ndërsa për pjesëmarrësit do të organizohen vizita në “Pyllin e Arinjve” dhe Liqenin e Badovcit, me qëllim promovimin e Kosovës si destinacion turistik.

“Ne kemi shumë asete të çmueshme në mënyrë që të marrim këtë identitet. Kemi turizmin malor, i cili do të ishte një masë plotësuese përkrah turizmit bregdetar në Shqipëri dhe Ulqin”, tha Hikmete Bajrami, ministre e MTI-së.

Panairi, këtë vit është përqëndruar në paketat e udhëtimit dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim mes agjencive të rajonit.

“Unë ftoj operatorët turistikë që, nëpërmjet paketave të përbashkëta, të kenë mundësi të krijojnë nismën dypalëshe të shkëmbimit të vizitorëve mes Kosovës dhe Shqipërisë, në mënyrë që ne të kemi një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të turistëve”, tha Ardit Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Shqipëri.

Bregdeti i Ulqinit u prezantua në Prishtinë në hapje të panairit, nga vet kryetari i komunës Nazif Cungu.

“Ne do të kujdesemi vazhdimisht, që Ulqini të jetë qytet më i pastër, të ketë ujin e detit të kthjellët dhe të jetë perla e prezantimit të turizmit në rajon”, tha Nazif Cungu, kryetar i Komunës së Ulqinit.

Bashkë me panairin e turizmit është hapur edhe ai i edukimit, ku janë prezantuar programe të shkollave dhe kolegjeve të ndryshme.

Top Channel