Kosovë, të premten hapet zyrtarisht gara për kreun e PDK-së

21/04/2016 00:00

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur që, nga e premtja, të hapë zyrtarisht garën për kryetarin e partisë, ndërsa votimi për pasardhësin e Hashim Thaçit në PDK do të bëhet në Konventën e partisë më 7 maj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili pritet të zyrtarizohet në krye të partisë më të madhe kosovare, tha para anëtarëve të Këshillit Drejtues se, të gjithë anëtarët kanë të drejtë të kandidojnë për kryetar.

Gjatë fjalimit të tij, Veseli ka thënë se, PDK-ja do ta kalojë me sukses këtë sfidë të ndërrimit të kreut, teksa udhëheqësi i kësaj partie do të zgjidhet në mënyrë demokratike.

Ai ka numëruar arritjet që – sipas tij – ka pasur PDK-ja në rrugëtimin e saj dhe të vendit deri më sot, ndërsa si diçka të pasuksesshme ka përmendur varfërinë jo të vogël në vend, të cilën ka thënë se do ta zhdukin.

Që nga themelimi i saj pas luftës në Kosovë, Partia Demokratike ishte udhëhequr për rreth 17 vite me radhë nga Hashim Thaçi, tashmë President i Kosovës.

Top Channel