Mitrovicë, dhjetëra familje në banesat kolektive të Trepçës

20/04/2016 00:00

Në Stantërg të Mitrovicës, pikërisht në lagjen ku është xhiruar filmi “Shok”,  i cili për herë të parë nominoi Kosovën për Oscar, që nga paslufta dhjetëra familje shfrytëzojnë për banim banesat kolektive të Trepçës me kushte minimale për jetën.

Ashtu siç edhe paraqitet në film, banesat janë në gjendje të njëjtë si pothuaj para 20 vjetësh. Mjafton të qëndrosh pak minuta brenda, për të vërejtur vështirësitë në frymëmarrje nga myku dhe lagështia.

“Më shumë se 10 vite jemi këtu. Nuk ka kushte për jetë. Ka lagështirë, nëse pak shi bie, uji futet në korridor. Gjendja është katastrofë, por nuk kemi ku të shkojmë. Kemi mbetur këtu deri sa komuna të bëjë një zgjidhje”, shprehet Flamur Ademi, banor në objektin kolektiv në Stantërg.

Flamuri kujton që për pak sekonda si figurant në filmin “Shok” ka marrë 10 euro, ndërsa së bashku me shtatë anëtarët e familjes së tij, muajin e kalon me një ndihmë sociale.

“Tash me këtë rritjen i marrim 136 euro e 25 cent”, thotw Flamuri.
Ai po shpreson që të jetë një ndër 17 kryefamiljarët  e kësaj lagjeje, që do të strehohen në ndërtesën e re sociale, gurthemeli i së cilës u vendos të mërkurën nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

“Vërtetë kemi shumë obligime që gjithë këtë rini ta punësojmë. Qeveria e Kosovës është duke e përgatitur projektin që do ta shpallë zonë të veçantë, e cila do të jetë një zonë e atraksionit turistik, por në të njëjtën kohë edhe ekonomik”, shprehet Veseli.

Pallati me një kosto ndërtimi prej 287 mijë euro, pritet të jenë gati për dimrin e ardhshëm.

Top Channel