Serie A, Juve marshon drejt titullit, Roma fiton “in extremis”

20/04/2016 00:00

Në Itali Juventus iu afrua një hap tjetër titullit kampion në Serinë A pas fitores 3-0 kundër Lazios. Kroati Mario Mandzukic hapi serinë e golave, ndërsa më pas talenti argjentinas Dybala shënoi dy herë të tjera, një nga të cilët u firmos me penallti.

Me këtë sukses “Zonja e vjetër” rikthen distancën 9 pikëshe me Napolin e vendit të dytë.

Roma konsilidoi shkallën më të ulët të podiumit pas një ndeshje të çmendur ku protagonist dhe hero i kryeqytetasve u bë sërish Francesko Totti.

3-2 fituan verdhëkuqtë ndaj Torinos në një 90 minutësh emocionues ku festa shpërtheu në stadiumin “Olimpico” pas dy golave të kapitenit, njëri prej të cilëve erdhi “in extremis” me penallti.

Inter ndërkohë humbi 1-0 në stadiumin “Marassi” kundër Genoas dhe disfata është guri i fundit që rëndon në ndërgjegjen e zikaltërve për dështimin potencial që të futet në Champions League. Rrjeta e vetme e sfidës erdhi nga De Maio çerekore nga fundi i lojës.

Ndërkohë, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, u ndëshkua me të kuq në takimin që skuadra e tij, Frosinone, e humbi në transfertën ndaj Chievos 5-1.

Në minutën e 17, Ajeti bëri një ndërhyrje që u vlerësua shumë e ashpër nga gjyqtari kryesor sa për ta larguar nga loja. Deri në atë moment, miqtë po fitonin 1-0, por me një lojtar më pak barazimi erdhi që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u përjashtua edhe Chibsah, duke bërë që Frosinone të mbesë me 9 lojtarë në fushë.

Top Channel