Kosovë, Apeli liron ish-gjeneralin serb Bojoviç

20/04/2016 18:35

Milovan Bojoviç, ish-gjeneral i ushtrisë serbe, është lënë i lirë sot nga Gjykata e Apelit pasi ishte arrestuar duke kaluar ilegalisht kufirin me Kosovën pranë Podujevës.

Ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit njëmujor vetëm për hyrje ilegale në Kosovë dhe vendimi që përmbys atë të Gjykatës Themelore është marrë duke u bazuar mbi gjendjen psiqike të Bojoviç, e konfirmuar nga ekspertiza e Institutit të Psikiatrisë Forensike të Kosovës.

Pas vendimit të marrë, Gjykata e Apelit ka urdhëruar Policinë e Kosovës që ta dëbojë të pandehurin dhe ta dorëzojë atë tek Policia Kufitare e Serbisë.

Menjëherë pas arrestimit të Milovan Bojoviç, më 7 prill nga ana e Policisë së Kosovës, reagoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, që e akuzoi atë për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka pasur ndonjë aktakuzë për krime lufte ndaj tij dhe ka dhënë masën vetëm për kalim ilegal të kufirit.

KMDLNJ thotë se gjenerali Bojoviç ka pasur përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr operacionet e ushtrisë serbe në rajonin e Llapit, ku nën urdhërat e tij kanë qenë forcat paramilitare dhe policore serbe, që kanë bërë krime të shumta kundër civilëve, që nga vrasjet individuale e deri tek ato në masë.

“Këto krime deri më sot kanë mbetur të pandëshkuara, përveç se është mbajtur një gjykim i improvizuar në Beograd për vrasjen e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriçi dhe Gashi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KMDLNJ.

Top Channel