“Gjahtari” i Borëbardhës

20/04/2016 00:00

Të gjithë e njohin historinë e Borëbardhës, figurës mitike të përrallave, por pakkush mund të dijë se ç’ndodh me gjahtarin që i shpëton jetën, duke mos iu bindur urdhrit të shtrigës.

Me efekte speciale fantastike vjen në Kinema “Imperial” vazhdimi i përrallës, këtë herë me në fokus “gjahtarin”.

“Duke filluar nga nesër (e enjte) publiku i kryeqytetit do të ketë kënaqësinë të ndjekë filmin më të ri të Hollivudit, ‘Gjahtari’ apo ‘The Huntsman Winter’s War’. Ky është një film në formatin 3D. Do të sjellë mjaft kënaqësi te publiku, pasi është një film që mund të shihet edhe nga moshat e rritura, por edhe nga fëmijët”, tha Altin Prifti, drejtor i Përgjithshëm i rrjetit të Kinema “Imperial”.

Chris Hemsworth, Jessica Chastain, Charlize Theron e një sërë emrash të njohur të Hollivudit i janë bashkuar këtij produksioni, i cili pritet të arkëtojë shumë.

“Nga analizat që janë bërë, kasti është përzgjedhur për arsye se i përshtatet edhe temave të tilla. Janë temat e përrallave të Borëbardhës, një kast mjaft i përshtatshëm për të qenë pjesë e këtyre xhirimeve. Por do të shtoja se, edhe pagesat mjaft të leverdisshme që janë bërë për kastin kryesor, sikurse edhe detyrime kontraktuale që kanë pasur aktorë të caktuar, bën që të jetë një kast shumë i mirë, një realizim i përkryer”, deklaroi më tej Altin Prifti.

“Gjahtari” do të shfaqet premierë mbrëmjen e 21 prillit, për të vijuar projeksionet çdo ditë në rrjetin “Imperial”.

Top Channel