Thaçi-Veseli, takim në Presidencë për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve

20/04/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në një takim kryeparlamentarin Kadri Veseli, për të diskutuar intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve që drejtojnë.

Presidenti Thaçi i ka dhënë mbështetje të plotë kryetarit Veseli dhe punës së legjislativit, duke thënë se Kuvendi është vendi, ku duhet të adresohen të gjitha shqetësimet e qytetarëve dhe të partive politike.

Sipas komunikatës për media, në takim Thaçi ka thënë se Presidenca dhe Kuvendi do të vazhdojnë të bashkërendojnë veprimet e tyre, për të garantuar funksionim sa më efikas të institucioneve, në mënyrë që të përshpejtohet hapi drejt integrimeve në NATO dhe BE.

Ndërsa kryeparlamentari Veseli, i cili në maj pritet të marrë zyrtarisht frenat e Partisë Demokratike që udhëhiqte Thaçi para se të zgjidhej president, ka folur në takim mbi punën e Kuvendit, si institucion i qëndrueshëm e i gatshëm të shtyjë përpara proceset më të rëndësishme për vendin.

Njeriu që zëvendëson Thaçin në skenën publike politike mësohet se, pas marrjes së detyrës së kryetarit të partisë do të shpalosë ofertën e tij për subjektet e tjera, për daljen nga kriza politike.

Top Channel