Euroliga, Reali i Madridit rrëzohet nga froni

20/04/2016 11:50

Reali i Madridit nuk do të ketë mundësinë të mbrojë titullin e kampionit të Evropës në basketboll për meshkuj. Skuadra spanjolle u eliminua në çerekfinale nga Fenerbahçe, me skuadrën turke që fitoi edhe sfidën e tretë 75-63, për ta mbyllur serinë e ndeshjeve me skuadrën dominuese të sezonit të kaluar në 3-0.

Ishte një ndeshje ku spikati loja kolektive e Fanerbahçes, që e detyroi Realin e Madridit të shënonte statistika të dobëta. Bogdanovic me 17 pikë dhe Udoh me 15 ishin ata që udhëhoqën Fenerbahçen drej fazës së “Final Four”, që do të zhvillohet në Berlin, për t’iu bashkuar CSKA-së së Moskës.

Siguroi një vend mes 4 më të mirave të Ligës së Kampioneve të basketbollit për meshkuj edhe Laboral Kutxa Vitoria që mundi Panathiniakosin 84-75, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve 3-0. Fati i ndeshjes u vendos në 10-minutëshin e fundit që skuadra baske e mbylli 28-20, duke vendosur në kasafortë edhe kualifikimin për në “Final Four”, ku Laboral kthehet pas 8 vitesh.

Barcelona fiton me autoritet ndaj Lokomotiv Kuban 82-70, për ta çuar serinë e ndeshjeve me skuadrën ruse në 2-1. Perioda e dytë dhe e tretë ishin ato që konfiguruan Barcelonën si skuadër fituese të kësaj sfide, ku ai që shkëlqeu në parket ishte Abrines me 25 pikë, 18 nga të cilat i shënoi nga distanca e 3 pikëve. Barcelona dhe Lokomotiv kanë edhe një ndeshje për të luajtur mes tyre, me skuadrën katalanase që ka shumë shanse për të qenë me 4 më të mirave të kontinentit, duke qenë se edhe kjo përballje do të luhet në Barcelonë.

Top Channel