Titulli nis të dridhet. Leicester, 4 ndeshje nga finishi

20/04/2016 00:00

Barazimi spektakolar 2-2 i Leicester ndaj West Ham  i kombinuar me suksesin e thellë të Tottenhamit ka ridizenjuar garën për titullin kampion në futbollin anglez.

Shumë prej kompanive të basteve nisën të paguajnë para kohe ata që vendosën në favor të “dhelprave”, por kur duhen edhe 4 ndeshje nga fundi, titulli po dridhet disi për formacionin e Claudio Ranierit.
 
Skuadra surprizë e futbollit europian mban kryesimin me 5 pikë më shumë se Tottenhami, por falë fitores së londinezëve 4-0 ndaj Stoke, tani gjërat komplikohen. Bomberi kryesor i Leicester, Jamie Vardy do të mungojë me të gjitha gjasat në ndeshjen e së dielës kundër Swansea, por ai rrezikon që të pezullohet më shumë pasi protestoi ndaj arbitrit Moss.
 
Kështu Swansea është mision i pamundur, por Vardy nuk do të jetë as më 1 maj kundër Manchester United, pasi Federata e ka akuzuar për sjellje të padenjë. Precedentët nuk i buzëqeshin Leicester, pasi në të tillë raste janë dënuar kampionë më të mëdhenj.
 
Por me ose pa sulmuesin kryesor, tashmë gjysma e Europës shpreson që “dhelprat” të fitojnë titullin, si ngushëllimin e futbollit të ndershëm dhe “low cost”, përballë milionave të sheikëve dhe investitorëve të huaj.
 
Nëse Leicester koleksionon 8 pikë në total në sfidat e mbetura do të fitojë Premier Leaguen, mjaftojnë dy fitore dhe dy barazime për matematikën. Ndërkohë Tottenhem duhet të rikuperojë 5 pikë, e përkthyer ndryshe në fitoren e të gjitha ndeshjeve të mbetura dhe shpresën se Leicester do të humbasë 2 herë.
 
15 maji është java e fundit kur “dhelprat” do të luajnë në Londër kundër Chelseat, ndërsa Tottenham në “St. James Park” ndaj një skuadre që kërkon mbijetesën si Newcastle.

Nëse titulli nuk do të jetë vendosur deri atëherë, Leicester duhet të fitojë në qytetin e kurorës ndaj skuadrës së Abramovic.

Top Channel