Krerët e partive maqedonase, në Vjenë për të shpëtuar marrëveshjen politike

19/04/2016 00:00

Në takimin e së premtes, në Vjenë të Austrisë, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do të kërkojnë nga udhëheqësit kryesorë në Maqedoni t’i kthehen zbatimit të marrëveshjes së arritur verën e kaluar në Shkup për zgjidhjen e krizës politike.

Komisioni Europian ka hedhur poshtë zërat se, takimi është thirrur për të arritur një marrëveshje të re politike midis krerëve të VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së.

“Qëllimi i takimit është të diskutohet për mënyrat e zgjidhjes së krizës dhe të sigurohemi se, udhëheqësit do të vazhdojnë të zbatojnë ‘Marrëveshjen e Përzhinës’ dhe do të përmbushin reformat me prioritet, për të dëshmuar vullnet për kthimin e vendit në rrugën euroatlantike”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e KE-së.

Takimi midis udhëheqësve të 4 partive politike në Shkup dhe përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar është caktuar për në orën 11 të ditës së premte, në selinë e BE-së, në kryeqytetin austriak.

Në takimin e thirrur nga 3 eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Hoëitt, do të marrë pjesë edhe Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn, dhe ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve në Maqedoni.

Megjithatë, protestuesit në Shkup kërkojnë që në këtë takim të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e sektorit civil nga Maqedonia.

Top Channel