Gjozaj ‘largon’ trajnerët e Peshëngritjes

19/04/2016 00:00

Trajnerët shqiptare duket se do të jenë “kokat e turkut” për dështimin e peshëngritësve tanë në europianin e Norvegjisë.

Pasi i ka falënderuar për punën e bërë deri tani, Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjozaj pohon se e vetmja zgjidhje për të ringritur shtangën është ardhja e një trajneri të huaj.

“Janë heronj të kësaj pune, por për të arritur nivele të larta duhet një punë e specializuar dhe e kualifikuar. Kemi trajnerë rusë që na janë vetëofruar, edhe për meshkuj edhe për femra”, thotë presidenti i Federatës, Elez Gjozaj.

Pavarësisht garave në europian dhe kritikave për strategjitë e ndjekura për lojrat olimpike, presidenti Gjozaj pohon me bindje se Briken Çalja është i kualifikuar për në Rio 2016.

“Ne do të shkojmë në olimpiadë, pasi Briken Calja është i kualifikuar me rezultatin e arritur në Hjuston të Shteteve të Bashkuara. Është i gjashti në kampionatin botëror, në ranglistë është i 12, pra detyrimisht shkon në olimpiadë i kualifikuar edhe Evangjeli Veli”, thotë Gjozaj.

Presidenti Gjozaj është më optimist se ç’duhet, pasi për të dhënë këtë deklaratë duhet të pritet 20 qershori, dita kur do të publikohet renditja përfundimtare e peshngritësve.

Deri në atë datë do të ketë edhe katër gara të tjera, të cilat mund të ndryshojnë renditjen e peshëngritësit tonë.

Top Channel