Liberalizimi i vizave, rekomandim pozitiv me kushte për Kosovën

19/04/2016 14:30

Komisioni Evropian pritet të japë rekomandim pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, por si kusht do të vendoset një kuotë e posaçme, e cila nënkupton pezullimin e liberalizimit të vizave, nëse një numër i caktuar i shtetasve kosovarë kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Top Channel ka mësuar se kuota që mund të çojë në pezullim është kërkuar nga Franca dhe Gjermania. Madje, ministrat për Çështjet Evropiane të këtyre dy shteteve të premten do të vizitojnë Kosovën.

Klauzola për mundësinë e pezullimit, por pa kuotën e posaçme, sipas koordinatorit për liberalizimin e vizave, Fisnik Rexhepi, vlen për të gjitha vendet që e keqpërdorin liberalizimin.

“Bashkimi Evropian, me kërkesë të një shteti anëtar mund t’i kërkojë Komisionit Evropian që të aktivizojë këtë klauzolë të pezullimit, në rast se sheh që ka nga ai vend ka rritje të numrit të azilkërkuesve”, ka deklaruar Rexhepi.

Por Top Channel ka mësuar se në rastin e Kosovës, kushti mund të ndryshojë, pasi shifra e azilkërkuesve në bazë të kërkesës së Francës dhe Gjermanisë pritet të jetë e paracaktuar dhe e kufizuar.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, deputetja Vjosa Osmani vlerëson se BE-ja që në fillimi padrejtësisht e ka ngarkuar Kosovën me kushte të ndryshme nga shtetet e tjera.

“Nëse vendosen rregulla të reja, ato duhet të vendosen për të gjithë rajonin e jo vetëm Kosova të trajtohet si e veçantë, natyrisht në aspektin negativ”, ka deklaruar Osmani.

Ekspertët nga Brukseli, të cilët viziuan Kosovën pak javë më parë, vlerësuan në raportin përfundimtar përmbushjen e të gjitha kritereve, përveç ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e cila duhet të miratohet para se të hyjë në fuqi lëvizja pa viza.

Top Channel