Holanda “ecën” me makina elektrike

19/04/2016 00:00

Prej vitit 2025, Holanda me shumë gjasë mund të jetë ndër të parat vende në Europë e cila do të ndalojë përdorimin e makinave me naftë apo benzinë në vend.

Projektligji ka kaluar me pjesën më të madhe të votave në dhomën e ulët të Parlamentit të Holandës, por do t’i duhet të miratohet nga senati holandez që të bëhet ligjërisht i detyrueshëm.

Partia Laburiste shprehu kundërshtinë, duke thënë se plani duket joreal. Ndërsa qëllimi i këtij ligji të ri është ulja e shkallës së ndotjes ne vend. Sipas tij, makinat ekzistuese me naftë ose benzinë do të qëndrojnë në përdorim, por do të parandalohet shitja e çdo automjeti të ri të tillë.

Kjo do të bëjë që shoferët t’u drejtohen makinave elektrike, duke siguruar që dekadën e ardhshme rrugët e Holandës gradualisht të elektrifikohen.

Shitjet e makinave elektrike në Holandë tani janë në nivelin 10%, por në shumë vende të industrializuara të botës, grupe shkencëtarësh dhe ambientalistësh po nxisin zëvendësimin e makinave tradicionale me automjetet e teknologjisë së fundit.

Top Channel