Zgjerohet harta e protestave në Maqedoni kundër presidentit Gjorgje Ivanov. Të hënën, përveç se në Shkup, protesta janë organizuar edhe në qytete të tjera, si në Manastir, Kumanovë, Shtip, Veles dhe Strumicë.

Protestuesit kanë shpalosur kërkesa të njëjta, dorëheqjen e Ivanovit, anulimin e vendimit të tij për amnisti dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, kurse opozitës i kanë bërë thirrje të bojkotojë takimin e së premtes në Vjenë për zgjidhjen e krizës politike.

“Ivanov duhet të jep dorëheqje bashkë me kriminelët e tjerë që kanë vjedhur shtetin. Në të kundërtën, populli do ta marrë të ardhmen në duart e tij”, deklaroi një protestuese.

“Absolutisht opozita nuk duhet të marrë pjesë në bisedimet në Vjenë, kurse bashkësia ndërkombëtare duhet të vijë në Maqedoni, pasi problemet duhet të zgjidhen këtu bashkë me qytetarët”, tha një tjetër protestuese.

Përveç opozitës maqedonase, të hënën demonstruesve kundër Ivanovit, mbështetje i kanë dhënë edhe disa parti shqiptare të opozitës si ‘Uniteti’, RDK-ja, ‘Lëvizja Besa’ dhe PPD-ja, ndërsa në mesin e turmave kishte edhe qytetarë dhe studentë shqiptarë.

“Këto krime janë kryer edhe nga ana e politikanëve shqiptarë të cilëve ne iu kemi dhënë votën dhe nuk është e drejtë që të shpërdorojnë besimin tonë. Ky është vendi ynë dhe ne duhet ta mbrojmë. Aq sa kanë maqedonasit të drejtë këtu, kemi edhe ne”, tha një protestuese shqiptare.

Qytetarët e revoltuar thonë se janë të gatshëm të protestojnë deri në largimin e presidentit Gjorgje Ivanov nga funksioni i tij.

Top Channel