Kosovë, protestë e veteranëve invalidë të UÇK-së

18/04/2016 00:00

Përfaqësues të veteranëve të UÇK-së, nga të gjitha zonat operative, kanë protestuar të hënën para Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me vonesat e pensioneve të invalidëve të luftës, që sipas tyre ndodhin për shkak të mungesës së një komisioni mjekësor, i cili vlerëson shkallën e invaliditetit.

Pas më shumë se një orë proteste, përfaqësuesit e veteranëve u pritën në takim nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

“Ne presim përfundimin e listave të veteranëve invalidë të UÇK-së. Shpresojmë të ndodhë gjatë këtyre ditëve, edhe pse ka pasur premtim nga Komisioni Qeveritar që të përfundonte javën e kaluar, por mesa duket nuk është përfunduar lista. Pasi të kemi listën përfundimtare të veteranëve invalidë do të hapim edhe procesin e aplikimit për ta”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi tha se në takim, përveç kërkesës për nxjerrjen e një udhëzimi administrativ, që do t’i hapte rrugë komisionit për caktimin e shkallës së invaliditetit, në takim u diskutua edhe lidhur me personat që nuk kanë qenë në luftë, por që figurojnë në listat e veteranëve.

“Kemi diskutuar edhe rreth fryrjes së listave dhe kam kërkuar nga ministri dhe qeveria, që të bëhet një auditim i pavarur. Duhet të pastrohen nga njerëz, të cilët padrejtësisht po i gëzojnë pensionet dhe po na dëmtojnë neve si veteranë”, tha Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së.

Sipas Qeriqit, me fryrjen e listave të veteranëve duhet të merret edhe Prokuroria.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pensionet i marrin rreth 14 mijë veteranë, të cilët nuk janë në marrëdhënie pune. Ndërkohë kanë mbetur mbi 4.000 të tjerë në pritje për pensionit dhe publikimit të listave përfundimtare nga komisioni qeveritar.

Top Channel